

Durrës – Një operacion policor është zhvilluar pasditen e sotme në lagjen nr. 4 të qytetit, ku forca të shumta të Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë për ndalimin e një automjeti tip “Mercedes ML” me ngjyrë të zezë, në të cilin udhëtonin dy të rinj nga Durrësi.
Sipas burimeve paraprake, shërbimet e policisë kishin siguruar informacione operative se personat në mjet dyshoheshin për posedim të armëve të zjarrit. Për këtë arsye, efektivët kanë ndaluar automjetin dhe u kanë bërë thirrje drejtuesve të tij për kontroll.
Megjithatë, të rinjtë nuk i janë bindur urdhrit të policisë, duke tentuar të largohen me automjet dhe më pas në këmbë.
Gjatë ndërhyrjes, njëri prej tyre ka braktisur makinën dhe është larguar me vrap, ndërsa është neutralizuar dhe shoqëruar në ambientet e policisë personi tjetër që ndodhej në automjet.
Pas kërkimeve në zonë, forcat e rendit kanë bërë të mundur edhe kapjen e të riut të dytë, i cili ishte larguar nga vendngjarja.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të verifikuar informacionet lidhur me dyshimet për posedim të armëve të zjarrit. Pritet që në vijim Policia e Durrësit të dalë me njoftim zyrtar mbi operacionin.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






