

Tiranë – Protesta qytetare që po zhvillohet këtë mbrëmje para Kryeministrisë ka hyrë në një fazë të re, pasi pjesëmarrësit janë larguar nga sheshi dhe kanë nisur marshimin në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit.
Pas fjalimeve të mbajtura përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit u organizuan në formë marshimi, duke vijuar lëvizjen e tyre nëpër Tiranë. Gjatë këtij zhvillimi, ata kanë vijuar të artikulojnë thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike, duke kërkuar ndryshime institucionale dhe rritje të llogaridhënies publike.
Në qendër të mesazheve të protestuesve kanë qenë kërkesat për luftë kundër korrupsionit, përfaqësim më të mirë qytetar dhe distancim nga forcat politike tradicionale, të cilat ata i akuzojnë për keqqeverisje dhe mungesë transparence.
Lëvizja, e cila vijon prej disa ditësh në kryeqytet, është shoqëruar me thirrje për ruajtjen e karakterit qytetar dhe shmangien e ndikimeve politike në organizim.
Forcat e rendit po monitorojnë marshimin, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen incidente.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






