

Tiranë, 11 qershor 2026 – Protestuesit qytetarë janë mbledhur edhe këtë mbrëmje përpara Kryeministrisë, duke vijuar për të 12-ën ditë radhazi tubimet kundër qeverisë, klasës politike dhe asaj që e konsiderojnë mungesë të përfaqësimit të interesave të qytetarëve.
Një nga zërat e parë që mori fjalën gjatë protestës ishte aktivistja Sidorela Vatnikaj, e cila, krahas kërkesës për largimin nga politika të kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetime ndaj kreut të qeverisë.
Sipas saj, Kryeministri duhet të japë sqarime për dijeninë që mund të ketë pasur në çështje të lidhura me dosjet hetimore ku përmenden figura të larta të mazhorancës.
Gjatë tubimit, aktivistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit shprehën pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë, opozitës dhe institucioneve të drejtësisë, duke kërkuar reforma të thella politike dhe një model të ri përfaqësimi.
“Ne duam një sistem të ri. Duam të dëgjohemi dhe të kemi mundësi të ndikojmë në vendimmarrje. Pa rininë nuk ka të ardhme për Shqipërinë”, deklaroi një prej protestuesve.
Një tjetër pjesëmarrës theksoi se lëvizja, e cila në fillesat e saj lidhej me mbrojtjen e mjedisit dhe ekosistemit të zonës së Nartës dhe Zvërnecit, tashmë është shndërruar në një kauzë më të gjerë qytetare.
“Kjo nuk është më vetëm çështja e flamingove apo e zonave të mbrojtura. Është çështja e së drejtës së qytetarëve për t’u dëgjuar dhe për të vendosur mbi të ardhmen e vendit”, u shpreh ai.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës nuk munguan as akuzat për korrupsion dhe keqqeverisje. Një prej protestuesve bëri thirrje për unitet qytetar dhe kundërshtoi çdo përpjekje për politizimin apo përçarjen e lëvizjes.
“Shqiptarët duhet të qëndrojnë të bashkuar. Nuk duhet të lejojmë që interesat politike apo strukturat partiake të deformojnë këtë protestë. Kërkesa jonë është për ndryshim, llogaridhënie dhe institucione që funksionojnë për qytetarët”, deklaroi ai.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vijim, duke këmbëngulur se lëvizja synon të mbetet qytetare dhe e pavarur nga partitë politike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






