

Vlorë, 11 qershor 2026 – Biznesmeni dhe investitori Behgjet Pacolli ka reaguar publikisht lidhur me situatën në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar atë si alarmante dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet shtetërore për zhbllokimin e punimeve.
Në një deklaratë të detajuar, Pacolli thekson se prej 18 majit 2026, punimet në aeroport janë penguar nga veprime që, sipas tij, bien ndesh me ligjin dhe me vendime të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
Sipas tij, bllokimi i projektit po shkakton pasoja të konsiderueshme ekonomike dhe sociale, duke prekur interesin publik, zhvillimin e rajonit dhe klimën e investimeve në vend.
Pacolli nënvizon se kompania koncesionare MABCO ka vijuar të mbajë e vetme barrën financiare të projektit, me një angazhim që, sipas tij, tejkalon vlerën e 310 milionë eurove përmes investimeve kapitale, punimeve dhe garancive financiare.
“Vonesat në përfundimin dhe vënien në funksion të aeroportit po shkaktojnë dëme serioze për ekonominë lokale dhe kombëtare, ndërsa njëkohësisht po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si një destinacion i sigurt për investimet strategjike”, thuhet në deklaratë.
Biznesmeni argumenton se vonesat nuk lidhen me investitorin, por me procese dhe vendime që kanë krijuar, sipas tij, pasiguri juridike dhe kanë penguar zbatimin e vendimeve të instancave më të larta gjyqësore.
Ai shpreh shqetësimin se disa vendime të gjykatave të shkallës së parë kanë prodhuar situata kontradiktore, duke cenuar parimet e sigurisë juridike dhe hierarkinë e sistemit gjyqësor.
Në deklaratën e tij, Pacolli ngre gjithashtu dyshime për përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që, sipas tij, kërkojnë verifikim dhe hetim të plotë institucional për të garantuar ligjshmërinë dhe mbrojtjen e interesit publik.
Ai u bën thirrje organeve të rendit, Prokurorisë dhe institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë me urgjencë për rivendosjen e ligjshmërisë, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe hetimin e plotë të çdo veprimi apo mosveprimi që ka çuar në situatën aktuale.
“Çdo person që ka vepruar në kundërshtim me ligjin apo ka penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësi sipas legjislacionit në fuqi”, thekson Pacolli.
Në përfundim, ai deklaron se MABCO mbetet e gatshme të bashkëpunojë me autoritetet shtetërore, duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zbardhjen e plotë të çështjes.
Pacolli shpreh besimin se institucionet ligjzbatuese do të veprojnë me profesionalizëm dhe paanshmëri për të adresuar një situatë që, sipas tij, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike, sociale dhe reputacionale për vendin.
Deklarata e Pacollit
Situata në Aeroportin e Vlorës ka marrë përmasa alarmante dhe kërkon ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet kompetente të Republikës së Shqipërisë.
Që prej datës 18 Maj 2026, punimet në Aeroportin e Vlorës janë penguar dhe bllokuar nga veprime të ndërmarra nga një grup personash, të cilat, sipas vlerësimit tonë, bien në kundërshtim me ligjin dhe me vendime gjyqësore të formës së prerë të Gjykatës së Apelit dhe të Gjykatës së Lartë.
Ky bllokim po shkakton dëme të konsiderueshme dhe të vazhdueshme ndaj interesit publik, ekonomisë kombëtare, komunitetit lokal dhe investitorit koncesionar MABCO, i cili ka marrë përsipër dhe vazhdon të përballojë i vetëm barrën financiare të projektit, me një investim dhe angazhim shumëvjeçar që tejkalon vlerën prej 310 milionë eurosh me anë të injeksione kapitale, punime dhe garanci financiare. Gjithashtu, vonesat në përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit, të cilat burojnë drejtpërdrejt nga këto veprime penguese, po shkaktojnë pasoja serioze për zhvillimin ekonomik të rajonit dhe po dëmtojnë rëndë imazhin e Republikës së Shqipërisë si një vend i sigurt për investimet strategjike dhe për garantimin e shtetit të së drejtës.
Duhet të theksohet se vonesat në realizimin e projektit nuk burojnë nga investitori, por nga veprime dhe procedura që kanë sjellë nxjerrjen e një sërë vendimesh kontradiktore dhe të kontestuara juridikisht nga gjykata të shkallës së parë, të cilat, në praktikë, kanë penguar ekzekutimin e vendimeve të instancave më të larta gjyqësore. Kjo situatë ka krijuar pasiguri juridike dhe ka cenuar parimet themelore të hierarkisë së vendimeve gjyqësore dhe të sigurisë juridike.
Vendime të tilla, të mbështetura nga veprime të personave të caktuar dhe të formalizuara përmes akteve gjyqësore përkatëse, përbëjnë shkakun kryesor të dëmeve ekonomike të sipërpërmendura, ndërsa njëkohësisht cenojnë rëndë autoritetin e sistemit të drejtësisë, rendin kushtetues dhe besimin e publikut në funksionimin e shtetit ligjor.
Po aq shqetësues mbetet fakti se, në raste të caktuara, zbatimi i këtyre veprimeve është shoqëruar me përfshirjen e strukturave shtetërore në rrethana që kërkojnë verifikim dhe hetim të plotë institucional, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe mbrojtjen e interesit publik.
Në këto rrethana, i bëjmë thirrje organeve kompetente të rendit, Prokurorisë dhe të gjitha institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin me urgjencë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e punimeve, rivendosjen e ligjshmërisë, garantimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë dhe hetimin e plotë të çdo veprimi apo mosveprimi që ka kontribuar në krijimin e kësaj situate.
Çdo person që rezulton të ketë vepruar në kundërshtim me ligjin, të ketë shpërdoruar kompetencat e tij apo të ketë penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore duhet të mbajë përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në fuqi.
MABCO mbetet plotësisht e angazhuar për të bashkëpunuar me autoritetet shtetërore, duke vënë në dispozicion të tyre të gjithë dokumentacionin, provat dhe informacionin e nevojshëm për zbardhjen e plotë të fakteve dhe identifikimin e përgjegjësive përkatëse.
Shprehim besimin se organet ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë do të veprojnë me profesionalizëm, paanshmëri dhe vendosmëri për të hetuar dhe zbardhur këtë rast të paprecedent, i cili ka shkaktuar dëme të rënda ekonomike, sociale dhe reputacionale, duke cenuar interesin publik, klimën e investimeve dhe besimin e qytetarëve në funksionimin e shtetit të së drejtës.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






