Transmetuar më 11-06-2026, 16:33

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Fabian Zakon, Kristaq Bibën, Elsaed Maqinajn dhe Marsel Varkën, të arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Rrjeti”, i zhvilluar kundër trafikut dhe shitjes së armëve të zjarrit.

Sipas hetimeve, katër të arrestuarit dyshohen se ishin pjesë e një grupi kriminal që merrej me tregtimin e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake në zona të ndryshme të Tiranës.

Ndërkohë, autoritetet kanë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë të dyshuar si pjesë e grupit, Kevin Vila dhe Bledar Avdillari, për të cilët vijojnë kërkimet.

Gjatë operacionit, forcat e policisë sekuestruan katër pistoleta dhe tre armë automatike tip kallashnikov, me vlerë që varionte nga 1.500 deri në 2.500 euro në tregun ilegal. Po ashtu, u sekuestruan telefona celularë, municione dhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në thellimin e hetimeve.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni “Rrjeti” është vazhdim i një serie hetimesh të mëparshme, të cilat kanë çuar në goditjen e të njëjtit grup kriminal. Në kuadër të këtyre hetimeve janë arrestuar më herët edhe Donati Jaku, Urim Meta, Klodian Mustafa, Ligor Mehmeti dhe Florian Gjeta.

Bilanci i përgjithshëm i operacionit dhe hetimeve të lidhura me këtë grup kriminal ka çuar deri më tani në arrestimin e nëntë personave. Gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, katër kallëpe tritoli, katër automjete, një sasi e konsiderueshme municionesh dhe 13 telefona celularë.

Sipas hetuesve, zonat e Alliasit dhe Freskut në Tiranë kanë qenë ndër pikat kryesore ku zhvillohej aktiviteti i dyshuar kriminal i grupit, përfshirë shitjen dhe shpërndarjen e armëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit