Transmetuar më 11-06-2026, 15:59

Një konflikt mes dy të rinjve ka përfunduar me përdorimin e thikës dhe plagosjen e një 26-vjeçari në qytetin e Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së enjtes, ndërsa policia ka arrestuar autorin e dyshuar vetëm pak orë pas incidentit.

Sipas informacioneve paraprake, 19-vjeçari Denis Hoxha, banues në fshatin Stan Karbunarë, dyshohet se ka goditur me thikë 26-vjeçarin Erbion Çerraga pas një konflikti për motive të dobëta. I plagosuri u transportua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë së Lushnjës organizuan kontrolle intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, duke bërë të mundur arrestimin e tij brenda pak orësh.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 48.160 euro dhe 7.200 dollarë, të cilat dyshohen të jenë të falsifikuara. Për këtë arsye, ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Falsifikimi i monedhave”.

Burime policore bëjnë me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e konfliktit, si dhe për të verifikuar origjinën dhe autenticitetin e shumave monetare të sekuestruara.

Ndërkohë, emri i të plagosurit nuk është i panjohur për organet e drejtësisë. Në shkurt të vitit 2025, Erbion Çerraga u arrestua pasi plagosi me thikë një tjetër 26-vjeçar në lagjen “Xhevdet Nepravishta” të Lushnjës. Në atë rast, ai u procedua për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit