Transmetuar më 11-06-2026, 15:33

Vrasja e Klajdi Bitrit në Itali, Apeli rrit dënimin e autorit në 22 vite burg

Gjykata e Apelit në Itali ka ashpërsuar dënimin ndaj Fatah Melloul, shtetasit algjerian të shpallur fajtor për vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar Klajdi Bitri. Në vendimin e dhënë më 10 qershor, gjykata e shkallës së dytë e dënoi 30-vjeçarin me 22 vite burg, katër vite më shumë se dënimi i dhënë në shkallën e parë.

Një nga elementët kyç që ndryshoi vendimin në Apel ishte njohja e agravantes së motiveve të dobëta, e cila ishte rrëzuar në gjykimin e shkallës së parë. Gjykata vlerësoi se konflikti mes Fatah Melloul dhe Klajdi Bitrit kishte lindur pas një debati të zakonshëm rrugor, çka nuk justifikonte reagimin ekstrem që pasoi. Pikërisht ky vlerësim bëri që dënimi i autorit të rritej nga 18 në 22 vite burg, duke e konsideruar veprimin si të kryer për arsye të parëndësishme dhe disproporcionale me pasojën tragjike që solli.

Apeli pranoi rëndimin e “motiveve të dobëta”, akuzë e cila ishte rrëzuar nga gjykata e shkallës së parë, duke çuar kështu në rritjen e dënimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 27 gushtit 2023 në Sirolo, pranë Ankonës. Sipas akuzës, mes Melloul dhe Bitrit kishte ndodhur një konflikt për motive rrugore.

Prokuroria italiane tha se pas debatit, Melloul u kthye në automjetin e tij, mori një pushkë nënujore dhe qëlloi me harpune në drejtim të 23-vjeçarit shqiptar.

Goditja rezultoi fatale, pasi mjeti i përdorur i shkaktoi dëmtime të rënda në aortë dhe arterien pulmonare, plagë nga të cilat Klajdi Bitri humbi jetën.

Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri ka mohuar vazhdimisht se kishte qëlluar me qëllim për të vrarë. Edhe pas vendimit të Apelit, përmes avokatit të tij Davide Mengarelli, ai ka këmbëngulur se nuk ka pasur një veprim të qëllimshëm.

“Klienti im nuk e priste një rritje të dënimit. Qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: nuk ka pasur një të shtënë të qëllimshme. Sipas ekspertizës sonë, është e vështirë të mendohet se një plagë e tillë është shkaktuar nga një gjuajtje në distancë”, deklaroi avokati mbrojtës.

Mbrojtja ka argumentuar se bëhet fjalë për një ngjarje aksidentale dhe jo për vrasje me dashje. Sipas saj, Melloul ishte ndier i kërcënuar dhe kontakti me armën nënujore ka ndodhur në mënyrë të rastësishme gjatë përballjes mes dy të rinjve.

Ndërkohë, familjarët e Klajdi Bitrit nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së vendimit. Ata përfaqësoheshin nga avokatet e tyre, të cilat e cilësuan vendimin si një hap drejt vendosjes së drejtësisë për viktimën.

Në janar të vitit 2025, Melloul ishte dënuar me 18 vite burg në shkallën e parë dhe me pagesën e një shume paraprake prej 40 mijë eurosh për familjen e viktimës, ndërsa dëmshpërblimi përfundimtar pritet të përcaktohet në proces civil.

Pas vendimit të fundit, mbrojtja ka bërë të ditur se pritet t’i drejtohet Gjykatës së Kasacionit, duke kërkuar rrëzimin e vendimit të Apelit. :::

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit