

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja tragjike e regjistruar në Gjirokastër, ku 15-vjeçari Arbër Peçi humbi jetën teksa po lahej në një pishinë private pranë fshatit Mashkullor.
Pas hetimeve të para, policia ka vënë në pranga administratorin e kompleksit turistik ku ndodhi ngjarja. Bëhet fjalë për shtetasin Ermal Koko, i cili sipas autoriteteve ushtronte edhe funksionin e përgjegjësit për sigurinë në ambientet e pishinës.
Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Gjirokastrës, ndërsa ndaj tij rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Ngjarja ndodhi paraditen e së mërkurës, në një kompleks pushimi përgjatë aksit nacional Gjirokastër-Tepelenë. Sipas të dhënave hetimore, adoleshenti kishte shkuar në pishinë së bashku me dy shokë të tij.
Edhe pse njihej si notar i mirë, dyshohet se 15-vjeçari është ndier keq menjëherë pasi ka hyrë në ujë dhe ka përfunduar në fund të pishinës. Personat e pranishëm kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë, por përpjekjet për t’i shpëtuar jetën rezultuan të pasuksesshme.
Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se vdekja mund të jetë shkaktuar nga një infarkt ose arrest kardiak, megjithatë shkaku i saktë do të përcaktohet vetëm pas ekspertizës mjekoligjore.

Në kuadër të hetimeve, policia ka marrë në pyetje shtatë persona, mes tyre dy shokët që ndodheshin me viktimën dhe disa punonjës të kompleksit.
Paralelisht, autoritetet po verifikojnë nëse subjekti që administron pishinën ka respektuar të gjitha kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë, përfshirë praninë e personelit të trajnuar për ndërhyrje në raste emergjente.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes që ka tronditur opinionin publik dhe komunitetin e Gjirokastrës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






