

Zhdukja e Eglant Koçit, policia intensifikon kërkimet në Pëllumbas dhe Qafë Mollë
Policia e Tiranës ka përqendruar operacionin e kërkimit për gjetjen e 34 vjeçarit Eglant Koçi në disa zona malore të kryeqytetit, ku ditët e fundit janë zhvilluar kontrolle intensive.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se verifikimet janë fokusuar kryesisht në Pëllumbas dhe Qafë Mollë, zona që dyshohet se frekuentoheshin shpesh nga Armand Shakaj, personi i dyshuar për ngjarjen.
Sipas të njëjtave burime, kontrollet në Pëllumbas janë shtuar pas informacioneve të marra nga banorë të zonës, të cilët kanë deklaruar se kanë parë automjetin e Shakajt në atë territor.
Ndërkohë, verifikimet e kryera përmes sistemit TIMS kanë konfirmuar se 41-vjeçari nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria përmes pikave kufitare, çka ka forcuar dyshimet se ai mund të jetë ende i fshehur brenda vendit.
Shakaj u mor në pyetje nga policia menjëherë pas denoncimit të familjarëve të Koçit për humbjen e kontakteve me të. Në deklarimet e tij ai pretendoi se nuk kishte dijeni për vendndodhjen e mikut të tij dhe se ishte po aq i shqetësuar për mungesën e tij.
Megjithatë, hetimet zbuluan se personi i fundit që kishte kontaktuar telefonikisht me Koçin ishte pikërisht Shakaj. Pas kësaj, policia e mbajti atë nën mbikëqyrje, por prej disa ditësh ai është larguar dhe tashmë rezulton në kërkim.
Burime hetimore bëjnë të ditur gjithashtu se Shakaj vuan nga një problem shëndetësor. Për këtë arsye, policia ka kërkuar bashkëpunimin e spitaleve publike dhe private në vend, me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e tij në rast se paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.

Eglant Koçi
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






