Transmetuar më 11-06-2026, 14:55

Sekretari britanik i Mbrojtjes jep dorëheqjen: Fondet për mbrojtjen janë të pamjaftueshme

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, ka paraqitur dorëheqjen nga detyra, duke argumentuar se fondet e planifikuara për mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar nuk janë të mjaftueshme për të përballuar sfidat aktuale të sigurisë.

Në letrën e dorëheqjes drejtuar kryeministrit Keir Starmer, Healey përmend arritjet e mandatit të tij, mes tyre rolin e Britanisë në mbështetjen e Ukrainës gjatë luftës me Rusinë dhe forcimin e pozicionit të vendit brenda NATO-s.

Megjithatë, ai shprehet se financimi i parashikuar për Planin e Investimeve në Mbrojtje është shumë më i ulët nga sa kërkohet për të garantuar sigurinë kombëtare.

“Marrëveshja financiare për Planin e Investimeve në Mbrojtje, e cila më është paraqitur plotësisht vetëm këtë javë, është shumë e pamjaftueshme për nevojat e mbrojtjes së vendit në këtë periudhë të rrezikshme”, shkruan Healey.

Sipas tij, pasi kishte bërë të qartë se nuk mund të mbështeste një plan që nuk siguronte burimet e nevojshme për forcat e armatosura, nuk i mbetej rrugë tjetër përveç largimit nga detyra.

Në letrën drejtuar Starmerit, ai paralajmëron se situata ndërkombëtare dhe kërcënimet në rritje kërkojnë investime më të mëdha në mbrojtje, ndërsa kritikon qeverinë dhe Thesarin për mungesën e angazhimit financiar.

“Kjo epokë e re për mbrojtjen kërkon investime të mëtejshme. Ju nuk keni qenë në gjendje dhe Thesari nuk ka qenë i gatshëm të sigurojë burimet që vendi ka nevojë për t’u mbrojtur në këtë kohë kërcënimesh në rritje”, thekson ai.

Healey paralajmëron se pa financime shtesë, qeveria mund të detyrohet të marrë vendime që do të ulin gatishmërinë e forcave të armatosura, do të rrisin rrezikun për personelin ushtarak në misione dhe do ta bëjnë Mbretërinë e Bashkuar më pak të sigurt.

Foto: BBC

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit