

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë 14 shtetas shqiptarë të akuzuar për pjesëmarrje në organizata terroriste dhe përfshirje në konfliktin e armatosur në Siri.
Sipas vendimit të dhënë këtë të enjte, disa prej të pandehurve, të cilët rezultojnë se nuk jetojnë më, janë dënuar në mungesë, ndërsa të tjerët do të vuajnë dënime të gjata burgimi për veprat penale “Pjesëmarrje në organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrja në veprime luftarake në një shtet të huaj”.
Dënimet më të larta u dhanë për Shyqyri Kacën dhe Saimir Kacën, të cilët u dënuan me nga 10 vite burg secili pas bashkimit të dënimeve. Ndërkohë, Enes Kaca u dënua me 5 vite burg, ndërsa Bajram Sulaj, Arbër Stafasani, Etion Zani dhe Erion Luto u dënuan me nga 9 vite burg.
Po ashtu, GJKKO vendosi dënimin me 8 vite burg për Fatbardh Taushanin, Nertil Hysenllarin, Ledio Mehmetin dhe Erdet Korror, ndërsa Ali Balliu u dënua me 7 vite burg për pjesëmarrje në organizatë terroriste.
Vendimi është pjesë e proceseve gjyqësore që lidhen me shtetasit shqiptarë të përfshirë në grupet xhihadiste që operuan në Siri gjatë viteve të konfliktit. Hetimet dhe gjykimi i kësaj dosjeje konsiderohen ndër çështjet më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Dënimet e dhëna nga GJKKO: Shyqyri Kaca – 10 vite burg Saimir Kaca – 10 vite burg Enes Kaca – 5 vite burg Bajram Sulaj – 9 vite burg Fatbardh Taushani – 8 vite burg Ali Balliu – 7 vite burg Arbër Stafasani – 9 vite burg Etion Zani – 9 vite burg Nertil Hysenllari – 8 vite burg Ledio Mehmeti – 8 vite burg Erion Luto – 9 vite burg Erdet Korro – 8 vite burg
GJKKO pritet të publikojë në vijim arsyetimin e plotë të vendimit për këtë çështje.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






