

Policia e Lezhës ka zbardhur dinamikën dhe ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar të shpërthimit me lëndë plasëse të ndodhur një ditë më parë në fshatin Balldren i Vjetër. Pas një operacioni të shpejtë hetimor të ndjekur nga një grup i posaçëm nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, është bërë i mundur identifikimi i plotë i dy personave të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.
Në kuadër të këtij aksioni, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Astrit Avdiaj, 55 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet e mëtejshme procedurale dhe operacionale, uniformat blu arritën të identifikojnë edhe bashkëpunëtorin e tij, shtetasin Ermal Zalla, 35 vjeç, banues në Krujë, i cili është shpallur zyrtarisht në kërkim dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur më 10 qershor 2026, ku dy të dyshuarit aktivizuan një sasi lënde plasëse tritol në një sipërfaqe toke në fshatin e lartpërmendur, ku fatmirësisht shpërthimi nuk shkaktoi dëme në njerëz apo dëme materiale. Ndërkohë, strukturat hetimore po vijojnë punën në terren dhe marrjen në pyetje për të sqaruar dhe dokumentuar plotësisht motivin e vërtetë që shtyu autorët drejt këtij sulmi, ndërsa materialet procedurale i kaluan prokurorisë për ndjekje të mëtejshme penale.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






