Transmetuar më 11-06-2026, 12:42

Aktivistja e njohur e komunitetit LGBT+, Xheni Karaj, i ka kthyer një përgjigje të ashpër kryeministrit Edi Rama, pas një reagimi që kreu i qeverisë bëri në rrjetet sociale lidhur me një incident të ndodhur në protestën qytetare në kryeqytet. Rama shprehu solidaritet me një person të cilit iu hoq flamuri gjatë tubimit, duke dënuar ato që i cilësoi si shfaqje bullizmi dhe homofobie.

Përmes një deklarate publike, Karaj ka sqaruar fillimisht se flamuri i larguar nga tubimi i djeshëm nuk u përkiste aktivistëve vendas të komunitetit dhe as nuk ishte simboli i LGBT+, por ishte flamuri i paqes që po mbahej nga një qytetar i huaj. Aktivistja ka akuzuar kryeministrin për "solidaritet selektiv dhe performativ", duke theksuar se deklaratat e tij synojnë vetëm instrumentalizimin e situatës për të delegjitimuar protestën qytetare dhe për të krijuar diversion politik.

"Mos u përpiq të na përdorësh si mburojë politike. Ne nuk e blejmë solidaritetin tënd," u shpreh Karaj, duke shtuar se komuniteti që ajo përfaqëson e njeh mirë dallimin mes kujdesit real dhe propagandës partiake. Ajo ka dënuar faktin që si Partia Socialiste, ashtu edhe Partia Demokratike dhe analistët nëpër studio televizive, po i përdorin kauzat e tyre si mjete propagande për interesat e pushtetit.

Karaj e mbylli reagimin e saj duke konfirmuar se pjesëmarrja e tyre në protestë bëhet për kauzën e lirisë, drejtësisë sociale dhe të ardhmes së vendit, duke nënvizuar se përballë komunitetit dhe qytetarëve nuk është njëri-tjetri, por sistemi shtypës dhe varfërues.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit