Transmetuar më 11-06-2026, 11:57

Seanca e sotme plenare ka vijuar me debate të ashpra dhe tone të larta mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës, ku fokus i diskutimeve janë bërë zhvillimet politike jashtë sallës së parlamentit dhe mesazhet e tubimeve qytetare në kryeqytet.

Deputeti i opozitës, Belind Këlliçi, ka akuzuar hapur qeverinë se ka hartuar një rend dite pa projektligje konkrete me qëllim që t’u heqë mundësinë e fjalës deputetëve për të diskutuar mbi atë që ai e quajti një protestë masive poshtë zyrës së kryeministrit. Gjatë fjalës së tij, Këlliçi lëshoi edhe një mesazh të fortë politik duke deklaruar: “Ta keni të sigurt që slogani i ri do të jetë ‘Rama në burg, Berisha në Uashington’”.

Kësaj deklarate i është përgjigjur menjëherë kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai ironizoi përpjekjet e opozitës për ta shitur lajmin e fundit si një sukses të tubimeve në bulevard, duke vënë në dukje se neni mbi të cilin Berisha është sanksionuar është mjaft i vështirë për t’u anuluar, dhe shtoi se do të presë një njoftim zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit apo Ambasada e SHBA-së përpara se të bëjë komente të mëtejshme.

Në mbyllje të replikës së tij, Balla theksoi se Partia Socialiste ka një mandat të qartë dhe legjitim për të qeverisur vendin dhe për të çuar përpara procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai i mbylli diskutimet me një paralajmërim elektoral drejtuar kampit opozitar: “Ju kemi mundur e do ju mundim më thellë në 2029”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit