

Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate të forta dhe akuza të rënda mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka replikuar ashpër me deputetin Agron Shehaj, duke përdorur një gjuhë të fortë akuzuese ndaj kreut të partisë "Mundësia".
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Balla e ka cilësuar Shehajn si një "gjobaxhi" dhe "hajdut të dhënash", duke pretenduar se ai ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme bazën e të dhënave të Partisë Demokratike. "Ti je një hajdut. I vodhe PD-së listën e anëtarësisë. Eshtë mirë që zoti kryetar t’i tërheqë vëmendjen një zhurmuesi që shkon dhe bën selfie nëpër protesta, pasi ato tubime nuk kanë asnjë lidhje me ty, por lindin si reagim ndaj projekteve të caktuara", u shpreh Balla.
Më tej, përfaqësuesi i shumicës socialiste hodhi dyshime të forta mbi aktivitetin e deputetit, duke e akuzuar atë për ushtrim presioni ndaj investitorëve privatë. Sipas Ballës, Shehaj shfrytëzon kauzat publike për përfitime personale, duke negociuar natën me biznesmenët që të mos ua përmendë emrin në këmbim të sponsorizimeve. Balla e mbylli replikën e tij duke ironizuar edhe hyrjen e Shehajt në politikë, duke deklaruar se ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, mund të tregojë në të ardhmen se sa ka qenë shuma e paguar për përfshirjen e tij në listat deputetëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






