

Hetimet për gjetjen e trupit të të riut Eglant Koçi janë përqendruar në zonat e Pëllumbasit, Qafëmollës dhe në Malin me Gropa, ku dyshohet se ai është vrarë dhe më pas është groposur. Policia ka intensifikuar kontrollet në këtë perimetër pas dëshmive të disa banorëve të zonës në Pëllumbas, të cilët kanë deklaruar se kanë parë automjetin në pronësi të shtetasit Armand Shakaj, i shpallur tashmë në kërkim si autori kryesor i dyshuar i ngjarjes.
41-vjeçari Shakaj u mor fillimisht në pyetje nga grupi hetimor menjëherë pas denoncimit për zhdukjen e Koçit. Megjithatë, sapo familjarët e viktimës ngritën dyshime të forta se ai fshihej pas ngjarjes, Shakaj është zhdukur pa lënë gjurmë. Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS, rezulton se ai nuk ka dalë jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, çka shton dyshimet se po fshihet brenda territorit vendas.
Marrëdhënia mes dy personave ishte e njohur, pasi nëna e Eglant Koçit kishte punuar më parë në lokalin në pronësi të 41-vjeçarit. Ndonëse motivi i saktë që çoi në këtë përplasje fatale mbetet ende i paqartë, një nga pistat kryesore ku po hetohet lidhet me një konflikt të mundshëm për shkak të aktiviteteve me kriptovaluta.
Gjatë mbledhjes së të dhënave operative, grupi hetimor ka mësuar se Armand Shakaj vuan nga një problem specifik shëndetësor. Nisur nga ky fakt, uniformat blu kanë vënë në gatishmëri të plotë të gjitha strukturat spitalore, publike dhe private në vend, duke kërkuar bashkëpunimin e bluzave të bardha për të njoftuar menjëherë autoritetet në rast se i kërkuari paraqitet për të marrë ndihmë mjekësore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






