

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve në hyrje të Parlamentit lidhur me vendimin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për heqjen e sanksionit “non grata”. Megjithatë, deklarata e tij e shkurtër brenda sallës plenare ka konfirmuar entuziazmin e selisë blu pas njoftimit të këtij zhvillimi të rëndësishëm politik.
Teksa ka hyrë në ambientet e seancës, lideri i opozitës është pritur me duartrokitje të gjata dhe brohoritje nga të gjithë deputetët e grupit parlamentar demokrat. Duke iu drejtuar foltores së Kuvendit mes ovacioneve të mbështetësve të tij, Berisha ka thyer heshtjen duke u shprehur shkurtimisht përpara të pranishmëve: “Unë erdha, u krye!”.
Ky reagim vjen menjëherë pas përhapjes së lajmit se e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy Van Horn, i ka komunikuar zyrtarisht kreut të PD-së vendimin e ri të administratës amerikane, duke mbyllur kështu një cikël përplasjeje politike dhe ligjore që zgjaste prej majit të vitit 2021.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






