Transmetuar më 11-06-2026, 11:03

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë anuluar vendimin për shpalljen person “non grata” të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Burime zyrtare nga selia blu konfirmojnë se ky vendim i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar personalisht ish-kryeministrit Berisha gjatë një bisede telefonike nga e ngarkuara me punë e Uashingtonit në Tiranë, Nancy Van Horn. Lajmi u reflektua menjëherë edhe në sallën e Kuvendit, ku lideri i opozitës u prit me brohoritje nga deputetët demokratikë, duke deklaruar përpara tyre: “Unë erdha! U krye!”.

Sanksioni ndaj liderit historik të demokratëve ishte vendosur më 19 maj të vitit 2021 nga Sekretari i Shtetit i asaj kohe, Antony Blinken, me argumentin e përfshirjes në korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, çka solli ndalimin e hyrjes në SHBA për të dhe familjen e tij. Berisha e kundërshtoi menjëherë masën duke ngritur një padi për shpifje ndaj Blinken në Gjykatën e Parisit, e cila megjithatë u rrëzua për mungesë juridiksioni.

Ky sanksion shkaktoi edhe një tërmet të fortë politik brenda Partisë Demokratike, kur më 9 shtator 2021, kryetari i atëhershëm Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Ky akt pasoi nisjen e lëvizjes së "Foltores" nga ish-kryeministri, e cila kulmoi me shkarkimin e Bashës dhe rimarrjen e drejtimit të partisë nga vetë Sali Berisha.

Pas ndryshimeve politike në Shtëpinë e Bardhë dhe zgjedhjes së Donald Trump në krye të SHBA-së, Partia Demokratike intensifikoi përpjekjet diplomatike për rishikimin e këtij vendimi. Një vit më parë, kjo forcë politike kontraktoi kompaninë amerikane të lobimit “Continental Strategy”, me një tarifë prej 250 mijë dollarësh në muaj, me synim krijimin e kontakteve me zyrtarë të administratës së re dhe Kongresit për promovimin e reformave institucionale dhe rishikimin e masave të ndërmarra ndaj liderit të opozitës shqiptare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit