

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Krimeve Kibernetike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Hold on”. Gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe goditur një bazë e paligjshme e llojit "call center", e cila shërbeje për kryerjen e mashtrimeve të ndryshme kompjuterike në platformat online.
Operacioni i policisë u përqendrua në katin e dytë të një objekti të ndodhur në bulevardin “Gjergj Fishta” në kryeqytet, pas informacioneve të siguruara paraprakisht në rrugë operative. Në vendngjarje, uniformat blu arrestuan në flagrancë katër shtetas të cilët dyshohet se administronin këtë aktivitet kriminal dhe drejtonin grupet e punës. Të prangosurit janë identifikuar me inicialet E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç.
Gjithashtu, gjatë ndërhyrjes së befasishme të forcave të rendit, u kapën në flagrancë duke punuar në ambientet e këtij biznesi edhe 49 shtetas të tjerë, ndaj të cilëve ka nisur menjëherë procedimi penal në gjendje të lirë për akuzën e mashtrimit kompjuterik.
Në cilësinë e provës materiale, strukturat hetimore kanë sekuestruar një infrastrukturë të tërë teknologjike që shërbente për realizimin e skemave të mashtrimit. Mes sendeve të bllokuara përfshihen 94 kompjuterë nga postet e punës, 11 aparate celularë, 2 pajisje iPad, si dhe 107 pajisje të tjera elektronike e materiale të ndryshme dokumentare, të cilat do t’i shërbejnë zbardhjes së plotë të veprimtarisë nga ana e Prokurorisë së Tiranës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






