Transmetuar më 11-06-2026, 08:16

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në qendër të rendit të ditës do të jetë zhvillimi i gjashtë interpelancave të kërkuara nga deputetët e opozitës. Diskutimet pritet të fokusohen te projektet investuese në zonat e mbrojtura, menaxhimi i rendit, si dhe procedurat e kontratave koncesionare në vend.

Seanca hapet me interpelancën ndaj Ministrit të Mjedisit, Sofjan Jaupaj. Deputetët e Partisë Demokratike kërkojnë transparencë dhe shpjegime mbi bazën ligjore, studimet e ndikimit në mjedis dhe respektimin e statusit të zonës së mbrojtur të Nartës, ku planifikohet ndërtimi i një resorti luksoz.

Më tej, Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, do të përballet me pyetjet e opozitës lidhur me operacionin policor në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli dhe mbeti i plagosur një tjetër polic. Deputetët kërkojnë sqarime të detajuara mbi mënyrën e organizimit dhe drejtimit të këtij aksioni.

Çështjet ekonomike dhe koncesionet zënë gjithashtu një hapësirë të rëndësishme. Kryeministri Edi Rama është thirrur në interpelancë nga deputeti Agron Shehaj lidhur me aksin rrugor Thumanë-Vorë-Kashar, ndërsa Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, do të pyetet nga deputeti Eno Bozdo mbi procedurat dhe përdorimin e fondeve publike për projektin "Durana Park".

Së fundi, Ministri i Financave, Petrit Malaj, do të përgjigjet përpara deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri në lidhje me ecurinë e mbledhjes së gjobës prej 120 milionë eurosh ndaj kompanisë "Bankers Petroleum", si dhe për të ardhurat e gjeneruara nga kontratat e partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit