

Trump e premtoi 37 herë, por marrëveshja me Iranin ende nuk ekziston
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar të paktën 37 herë gjatë dy muajve të fundit se një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit ishte pranë finalizimit, por deri më sot një marrëveshje e tillë nuk është arritur.
Sipas një përmbledhjeje të publikuar nga CNN, Trump ka përsëritur vazhdimisht në intervista, konferenca për shtyp, postime në rrjetet sociale dhe deklarata publike se një marrëveshje me Teheranin ishte çështje ditësh.
Gjithçka nisi më 23 mars, kur presidenti amerikan deklaroi se palët kishin arritur “pikat kryesore të marrëveshjes”. Një ditë më vonë ai u shpreh i bindur se negociatat do të përfundonin me sukses, duke thënë: “Mendoj se do ta mbyllim”.
Më 25 mars, Trump deklaroi se Irani “dëshironte me çdo kusht të arrinte një marrëveshje”, ndërsa më 26 mars, gjatë një mbledhjeje të kabinetit, tha se pavarësisht kësaj dëshire, Teherani kishte vazhduar të rezistonte.
Më 29 mars, ai parashikoi se marrëveshja do të arrihej brenda javës pasardhëse, duke deklaruar para gazetarëve: “Po, unë e shoh një marrëveshje me Iranin”.
Sipas CNN, nga ky moment deklaratat e Trump u bënë edhe më të shpeshta. Më 6 prill ai tha se SHBA-ja dhe Irani ishin “shumë afër një marrëveshjeje”. Një ditë më vonë u shpall një armëpushim dyjavor, i cili sipas pritshmërive duhej të krijonte kohën e nevojshme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Më 15 prill, në një intervistë për Fox News, Trump deklaroi se marrëveshja ishte “shumë afër përfundimit”, ndërsa më 16 prill shtoi se ishte “shumë e mundshme” që të arrihej një marrëveshje e mirë me Iranin.
Më 17 prill, në tre dalje të ndryshme publike, presidenti amerikan deklaroi se Irani kishte “pranuar gjithçka” dhe se marrëveshja mund të arrihej “brenda një ose dy ditësh”.
Tre ditë më vonë, më 20 prill, në rrjetin social Truth Social, Trump shkroi se “gjithçka do të ndodhte relativisht shpejt”.
Megjithatë, edhe pas kalimit të javëve, marrëveshja nuk u konkretizua. Më 1 maj ai deklaroi se Irani vazhdonte të ishte i interesuar për një marrëveshje dhe se lufta nuk do të zgjaste shumë.
Pas një periudhe më të qetë deklaratash, Trump u rikthye më 18 maj duke thënë se kishte shtyrë sulmet ushtarake për “dy ose tre ditë” me kërkesë të vendeve të Lindjes së Mesme, të cilat besonin se marrëveshja ishte shumë pranë.
Po atë ditë ai pranoi se kishte pasur edhe raste kur dukej se marrëveshja ishte afër, por negociatat kishin dështuar. Megjithatë shtoi se “këtë herë është ndryshe”.
Më 19 maj deklaroi se lufta do të përfundonte shumë shpejt, ndërsa më 23 maj tha se marrëveshja ishte “në pritje të finalizimit” dhe se do të shpallej së shpejti.
Edhe në fillim të qershorit Trump vazhdoi me të njëjtin qëndrim. Më 7 qershor ai deklaroi se SHBA-ja dhe Irani ishin “shumë afër një marrëveshjeje”, ndërsa më 8 qershor tha se palët ndodheshin në “fazat përfundimtare” të asaj që e cilësoi si një marrëveshje shumë të mirë, duke parashikuar se ajo do të arrihej brenda “dy ose tre ditësh”.
Pavarësisht 37 deklaratave publike që parashikonin një marrëveshje të afërt, deri tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për arritjen e saj mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






