

Mbi 14 mijë të rinj largohen nga tregu i punës, ndërsa numri i pensionistëve që vijojnë aktivitetin profesional rritet me 17.7 mijë persona. Të dhënat e fundit sinjalizojnë ndryshime të forta në strukturën e fuqisë punëtore në vend.
TIRANË – Tregu i punës në Shqipëri po përballet me një transformim të dukshëm demografik. Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026, numri i të punësuarve në moshë aktive ka pësuar rënie të ndjeshme, ndërsa pesha e pensionistëve në ekonomi po rritet vazhdimisht.
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i të punësuarve ka rënë me 32,736 persona. Tkurrja më e madhe është regjistruar te grupmosha 15–29 vjeç, ku numri i të punësuarve është ulur me rreth 14.4 mijë persona ose 8 për qind.
Rënie ka shënuar edhe grupmosha 30–64 vjeç, e konsideruar shtylla kryesore e tregut të punës. Në këtë kategori rezultojnë mbi 18 mijë të punësuar më pak krahasuar me një vit më parë, ose 2.1 për qind më pak në terma vjetorë.
Ndërkohë, situata paraqitet krejt ndryshe për personat mbi 64 vjeç. Numri i pensionistëve të punësuar ka arritur në 140,713 persona, duke u rritur me rreth 17.7 mijë individë ose 14.4 për qind në raport me tremujorin e parë të vitit 2025.
Si rezultat, pensionistët përbëjnë tashmë 12.2 për qind të totalit të të punësuarve në vend, nga 10.5 për qind që ishte kjo peshë një vit më parë.
Ekspertët e lidhin këtë zhvillim me emigracionin e të rinjve, plakjen e popullsisë dhe nevojat ekonomike që detyrojnë shumë pensionistë të vazhdojnë punën edhe pas daljes në pension. Kjo prirje po e bën gjithnjë e më të rëndësishëm kontributin e të moshuarve në mbajtjen aktive të ekonomisë.
Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se rënia e numrit të punonjësve në moshë aktive mund të ndikojë negativisht në potencialin afatgjatë të zhvillimit ekonomik. Të rinjtë konsiderohen forca kryesore për inovacionin, adoptimin e teknologjive të reja dhe krijimin e vlerës së shtuar, ndërsa mungesa e tyre mund të ngadalësojë ritmet e rritjes.
Nëse trendi aktual vazhdon, tregu i punës rrezikon të përballet me mungesa të theksuara të fuqisë punëtore, ndërsa ekonomia mund të mbështetet gjithnjë e më shumë në një strukturë me produktivitet më të ulët dhe me më pak kapacitete për t’iu përgjigjur sfidave të transformimit digjital.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






