

TIRANË – Një marshim kilometrik, i cilësuar si i pari në historinë e tubimeve qytetare nga organizatorët, po zhvillohet në këto momente në Tiranë. Mijëra qytetarë po protestojnë në ditën e 11-të të revoltës së tyre, ndërsa kanë përsëritur kërkesat që kanë shprehur që nga nisja e protestave.
Me pankarta në duar dhe flamuj kuqezi, protestuesit kanë bërë thirrje për ndryshim, për largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria dhe për anulimin e projektit të Zvërnecit.
Sipas organizatorëve, protesta e sotme ka shënuar nivelin më të lartë të pjesëmarrjes deri tani, duke u cilësuar si tubimi me numrin më të madh të pjesëmarrësve. Në marshim janë bashkuar edhe studentë, si dhe shqiptarë të ardhur nga emigracioni.
Mijëra qytetarë po vazhdojnë marshimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa ripërsërisin kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama nga qeveria.
Prej më shumë se katër orësh, protestuesit po kundërshtojnë zhvillime që, sipas tyre, cënojnë natyrën dhe favorizojnë oligarkët. Ata po shprehin gjithashtu kundërshtimin ndaj asaj që e cilësojnë si një qeveri të korruptuar dhe ndaj asaj që e konsiderojnë një “opozitë të shitur”.
Protesta ka mbledhur qytetarë të grupmoshave dhe profileve të ndryshme, mes tyre fëmijë, të moshuar, aktivistë dhe profesionistë. Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ata kanë kërkuar atë që e kanë quajtur një “Shqipëri të Re”.
Qytetarët po vijojnë marshimin e tyre në Tiranë prej më shumë se tre orësh, ndërsa përsërisin vazhdimisht kërkesat e tyre. Tubimi shtrihet në një gjatësi të konsiderueshme në rrugët e kryeqytetit dhe protestuesit po thërrasin njëzëri: “Rama jepe dorëheqjen”.
Kërkesat kryesore të protestuesve mbeten anulimi i projektit të Zvërnecit dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë protestës janë dëgjuar edhe thirrje të tjera, përfshirë: “O Ilir, o legen, prite Salën se po vjen”, slogan që pjesëmarrësit e kanë përsëritur edhe gjatë tubimit të sotëm. Një pjesë e protestuesve e kanë cilësuar gjithashtu Partinë Demokratike si një “opozitë të shitur”.
“Revolucion”, “O Ilir, o legen, prite Salën se po vjen”, “Dorëheqje”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria është e shqiptarëve, vdekja e tradhtarëve”, si dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, janë disa nga thirrjet që kanë shoqëruar marshimin masiv të zhvilluar në kryeqytet.
Tubimi vijon, ndërsa protestuesit po marshojnë në rrugët e Tiranës duke përsëritur kërkesat dhe sloganet e tyre.










Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






