

Vendimi i GJKKO-së për Marjus Tafanin dhe Kristi Bixhekun, ja çfarë ndryshoi në momentin e fundit
GJKKO ka dhënë vendimin përfundimtar për Artan (Marjus) Tafanin dhe Kristi Bixhekun, duke i shpallur fajtorë për vepra të ndryshme penale dhe duke caktuar dënimet përkatëse.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Artan (Marjus) Tafani u shpall fajtor për veprat penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” dhe “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”.
Duke marrë në konsideratë statusin e tij si bashkëpunëtor i drejtësisë, gjykata vendosi uljen e dënimit në zbatim të dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal. Përfundimisht, Tafani u dënua me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Ndërkohë, për të pandehurin Kristi Bixheku, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm për akuzat fillestare të “Pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.
Megjithatë, trupi gjykues ndryshoi kualifikimin juridik të veprës penale, duke e shpallur Bixhekun fajtor për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302, pika 1 e Kodit Penal.
Për këtë vepër, gjykata caktoi fillimisht një dënim prej 3 vjetësh e 6 muajsh burgim. Pas aplikimit të procedurës së gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 2 vjet e 4 muaj burgim.
Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore të procesit të përballohen nga të pandehurit.
Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






