Transmetuar më 10-06-2026, 15:48

Tregu i punës në Shqipëri ka shfaqur shenja ngadalësimi gjatë tremujorit të parë të vitit 2026. Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë një rritje të lehtë të papunësisë dhe një rënie të punësimit krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025.

Sipas Anketës Tremujore të Forcave të Punës, shkalla e papunësisë për popullsinë 15 vjeç e lart arriti në 8,4%, duke u rritur me 0,1 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2025. Megjithatë, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, papunësia rezulton 0,3 pikë përqindje më e ulët.

Ndërkohë, shkalla e punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart zbriti në 58%, duke regjistruar një rënie prej 0,5 pikë përqindje në raport me tremujorin paraardhës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 76,2%, me një rritje prej 0,3 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, ky tregues mbetet 0,5 pikë përqindje më i ulët krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025.

Sa i përket sektorëve të ekonomisë, shërbimet rezultojnë sektori i vetëm që ka shënuar rritje të punësimit gjatë kësaj periudhe, me 1% në baza tremujore. Në të kundërt, industria regjistroi rënien më të madhe, me 5,7%, ndërsa punësimi në sektorin e bujqësisë u tkurr me 2,9%.

Si pasojë e këtyre zhvillimeve, punësimi i përgjithshëm në ekonomi shënoi një rënie prej 1,7% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit në tregun e punës gjatë muajve të parë të vitit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit