

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga Klivis Kuçajn, i cili u përfshi në një konflikt të ndodhur dy ditë më parë në një lokal në Velipojë, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri në ajër.
Sipas burimeve policore, Kuçaj ishte shpallur më herët në kërkim në lidhje me një ngjarje të ndodhur rreth dy muaj e gjysmë më parë, ku dyshohet se ka plagosur një person. Për këtë rast ai kërkohej për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”.
Hetimet paraprake tregojnë se tensionet mes palëve kishin nisur një natë para ngjarjes, më 7 qershor, kur disa të rinj janë përfshirë në debate dhe përplasje verbale. Një ditë më pas konflikti u përshkallëzua në ambientet e një lokali në Velipojë.
Sipas informacioneve, Klivis Kuçaj, së bashku me disa persona të tjerë, ka shkuar në lokalin ku ndodhi përplasja, ndërsa gjatë konfliktit një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Si pasojë e sherrit, Kuçaj ka mbetur i dëmtuar në fytyrë, duke pësuar plagë të konsiderueshme. Ndërkohë, Policia ka identifikuar edhe personat e përfshirë në palën tjetër.
Në lidhje me ngjarjen është proceduar penalisht Agim Ramazani, ndërsa strukturat policore vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Policia po punon gjithashtu për zbardhjen e autorit të të shtënave me armë zjarri dhe për sqarimin e plotë të dinamikës së konfliktit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






