

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës ka finalizuar operacionin e koduar “Kalibri”, në kuadër të luftës kundër armëmbajtjes pa leje dhe veprimtarive që cenojnë sigurinë publike.
Si rezultat i kontrolleve intensive dhe punës operative të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Komisariati i Policisë Shijak dhe Forca e Posaçme Operacionale, janë goditur dy raste të tjera të posedimit të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Në kuadër të operacionit “Kalibri”, u vunë në pranga shtetasit Dervish Tusha, Lamberto Dinaj dhe Arsildo Marku.
Sipas policisë, Lamberto Dinaj dhe Arsildo Marku u kapën në hyrje të qytetit të Durrësit, ndërsa lëviznin me automjet. Dyshohet se ata po transportonin për shitje një armë zjarri pistoletë, së bashku me dy krehra dhe municion luftarak. Arma dhe fishekët u gjetën në çantën e pasagjerit, Lamberto Dinaj, të cilit iu sekuestrua gjithashtu një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e Dervish Tushës, në fshatin Shtrazë të Shijakut, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri kallashnikov, një granatë mbrojtëse me ndezës të montuar, një krehër arme dhe qindra fishekë luftarakë, të cilat mbaheshin pa leje.
Në total, gjatë operacionit u sekuestruan dy armë zjarri, një granatë, tre krehra armësh, qindra fishekë luftarakë dhe një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






