Transmetuar më 10-06-2026, 13:11

TIRANË – Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një paketë mbështetjeje financiare për familjet e dy efektivëve të Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën në krye të detyrës, dhe Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë përballjes me krimin.

Sipas vendimit, familja e dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli do të përfitojë një shpërblim financiar prej 5 milionë lekësh të reja, ndërsa efektivi i plagosur Edison Adri do të mbështetet me 3 milionë lekë të reja.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari, i cili theksoi se sakrifica e efektivëve në përballjen me krimin nuk do të harrohet dhe se shteti ka detyrimin të qëndrojë pranë familjeve të tyre.

Ai u shpreh se, përveç shpërblimit financiar, fëmija i efektivit të rënë në detyrë do të përfitojë edhe trajtim të veçantë financiar të përmuajshëm deri në moshën madhore, në bazë të ligjit “Për statusin ‘Fëmijë në Përkujdesje të Republikës’”.

Ministri Lamallari theksoi se, megjithëse asnjë ndihmë nuk mund të zbusë plotësisht dhimbjen e humbjes, institucionet shtetërore do të vijojnë të ofrojnë mbështetje dhe respekt për familjet e efektivëve të rënë në krye të detyrës.

Autoritetet bëjnë me dije se po ndiqen të gjitha procedurat ligjore për trajtimin e plotë të familjes së dëshmorit të Atdheut, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit