

TIRANË – Seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 18 të bashkëpandehurve të tjerë është shtyrë, për shkak të mungesës së disa avokatëve mbrojtës dhe çështjeve procedurale të ngritura gjatë shqyrtimit gjyqësor.
Në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë ishte i pranishëm prokurori Ols Daso, ndërsa mungonte prokurori Altin Dumani. Nga pala mbrojtëse mori pjesë avokati i Veliajt, Plarent Ndreca.
Vetë kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit. Përmes një shkrese drejtuar gjykatës, ai kërkoi të përfaqësohej nga avokati i tij, duke argumentuar se “mbajtja në kafaz nuk është as e hijshme dhe as dinjitoze”.
Sipas burimeve nga seanca, mungesa e disa avokatëve të tjerë mbrojtës bëri të pamundur vijimin normal të procesit, duke detyruar trupën gjykuese të shtyjë shqyrtimin dhe të pezullojë përkohësisht afatet e paraburgimit për të pandehurit.
Gjatë seancës u diskutua edhe një kërkesë e paraqitur nga avokati Ndreca, i cili pretendoi se mbrojtjes nuk i ishin vënë në dispozicion 24 fashikuj të dosjes hetimore. Trupa gjykuese sqaroi se dokumentacioni i munguar lidhet me procedurat e njoftimit të akuzës ndaj të pandehurve të tjerë dhe nuk përbën cenim të së drejtës së mbrojtjes në këtë fazë të procesit.
Megjithatë, gjykata vendosi që materialet e kërkuara t’i vihen në dispozicion Erion Veliajt dhe mbrojtjes së tij, me qëllim garantimin e transparencës dhe aksesit të plotë në dosjen procedurale.
Procesi gjyqësor do të rifillojë më 16 qershor, në orën 10:00, kur pritet të shqyrtohen më tej kërkesat procedurale dhe ecuria e çështjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






