Transmetuar më 10-06-2026, 12:44

TIRANË – Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 25-vjeçarin Enea Zyferi, i arrestuar në kuadër të hetimeve për zhdukjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, i cili rezulton i humbur prej datës 5 qershor.

Sipas dosjes hetimore, Zyferi, i cili punonte si kamarier në një lokal në pronësi të Armand Shakajt, dyshohet për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit. Shakaj është shpallur në kërkim nga autoritetet dhe konsiderohet një nga personat kyç në hetimet që lidhen me zhdukjen e Koçit.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se dyshohet që, për të fshehur gjurmët e ngjarjes, Armand Shakaj ka lëvizur motorin e Eglant Koçit nga vendi ku ai dyshohet se është mbajtur peng drejt zonës së 5 Majit. Motomjeti është gjetur nga policia dy ditë më vonë dhe është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar këtë të mërkurë, Enea Zyferi ka mohuar çdo përfshirje në ngjarje, duke deklaruar para gjykatës se nuk ka lidhje me zhdukjen e 34-vjeçarit.

Ndërkohë, hetimet po vijojnë me intensitet të lartë. Sipas burimeve hetimore, provat e mbledhura deri tani, përfshirë ekspertizat shkencore dhe indiciet e tjera rrethanore, kanë ngritur dyshime të forta se Eglant Koçi mund të ketë humbur jetën, megjithëse trupi i tij ende nuk është gjetur.

Policia ka identifikuar dhe lokalizuar ambientin ku dyshohet se i riu është mbajtur peng, ndërsa është sekuestruar edhe automjeti që dyshohet se është përdorur për transportimin e tij. Hetuesit po analizojnë prova të shumta, përfshirë pamje filmike, komunikime dhe gjurmë biologjike, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit