

TIRANË – Bordi i Transparencës ka miratuar këtë të mërkurë çmimet e reja tavan për tregtimin e karburanteve në vend, të cilat kanë hyrë në fuqi më 10 qershor 2026, në orën 14:00.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 është caktuar në 188 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë në 176 lekë për litër.
Ndërkohë, për benzinën, Bordi ka vendosur që çmimi maksimal i shitjes me pakicë të jetë 171 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë 159 lekë për litër.
Autoritetet bëjnë me dije se këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të reflektohen ndryshimet e reja të tregut ndërkombëtar dhe vendas të hidrokarbureve.
Bordi i Transparencës ka paralajmëruar operatorët e tregtimit të karburanteve se zbatimi i vendimit është i detyrueshëm. Në rast të konstatimit të shkeljeve, ndaj subjekteve do të merren masa administrative, deri në pezullimin e aktivitetit.
Në një sqarim zyrtar, autoritetet theksojnë se çmimet aktuale të karburanteve janë nën kufijtë e përcaktuar nga Akti Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, i cili parashikon aplikimin e nivelit 80% të akcizës vetëm në rastet kur çmimi i gazoilit tejkalon 220 lekë për litër ose ai i benzinës 200 lekë për litër. Për shkak se çmimet e reja janë më të ulëta se këto kufij, akciza do të vijojë të zbatohet në nivelin e plotë, 100%.
Sa i përket sektorit të peshkimit, çmimi i gazoilit për anijet e peshkimit është përcaktuar në 92 lekë për litër. Ky çmim bazohet në përjashtimet fiskale të parashikuara nga legjislacioni shqiptar, të cilat përfshijnë përjashtimin nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe detyrimet e akcizës për karburantin e përdorur nga flotat e peshkimit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në tregun e karburanteve.
Njoftim për Shtyp
Bordi i Transparencës në datë 10 Qershor 2026, në mbledhjen e radhës vendosi: ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 188 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 176 lekë/litër. ✅Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 171 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 159 lekë/litër. 🗓️Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 10 ora 14.00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes. ⚠️Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi. 🚫Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit. 🛢️ Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit sëbashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë janë angazhuar të mbrojnë interesat e konsumatorëve shqiptarë dhe ruajtjes së parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
SQARIM: Referuar Aktit Normativ nr. 1, Datë 3.4.2026 “Për një shtesë në ligjin nr. 61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, ku është parashikuar, se në rast se çmimi i shitjes me pakicë, për gazoili është më i lartë se 220 lek/litri, apo për benzinën është më i lartë se 200 lek/litri, zbatohet niveli 80% i akcizës. Bazuar në zbatimin e metodologjisë për llogaritjen e çmimeve tavan te shitjes me pakice, çmimet janë nën kufirin e Aktit Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, dhe për rrjedhojë niveli i akcizës do të zbatohet i plotë, 100%. Gazoili për peshkim – çmimi i shitjes së gazoilit për peshkim, referuar Ligjit 9975, datë 28.07.2008 “Për taksat Kombëtare”, ne nenin Neni 9 “Përjashtimet nga pagimi i taksave kombëtare”, pika 6 parashikohet: …“Përjashtohen nga pagimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit anijet e peshkimit. Gjithashtu referuar nenit 10, pika 3 germa “d” te Ligjit 61/2012 “Për akcizat në RSH” parashikohet përjashtimi nga detyrimet e akcizes i karburantit për anijet e peshkimit, në sasitë, kushtet dhe kriteret e përcaktuara në VKM. Referuar metodologjise së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i shitjes së gazolit për peshkim rezulton 92 lekë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






