

Tiranë – Në kryeqytet vijon protesta kombëtare, e cila ka hyrë në ditën e 11-të të saj, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë paralajmëruar vijimin e tubimeve edhe gjatë ditës së sotme.
Sipas organizatorëve, mijëra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e zhvilluar dje në Tiranë, e cila zgjati nga ora 18:00 deri në mesnatë, ku u kërkua dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike të përbërë nga përfaqësues dhe intelektualë.
Tubimi është shoqëruar me thirrje të ndryshme nga pjesëmarrësit, ndërsa organizatorët i kanë bërë thirrje edhe diasporës shqiptare që t’i bashkohet protestës, duke deklaruar se lëvizja ka marrë përmasa më të gjera edhe jashtë vendit.
Sipas tyre, protesta është shtrirë në disa shtete ku jetojnë komunitete shqiptare, të cilat kanë organizuar tubime në mbështetje të kauzës së ngritur në Tiranë.
Organizatorët deklarojnë se protestat do të vijojnë çdo ditë në orën 18:00, derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ndërsa theksojnë se qëndrimi i tyre mbetet i pandryshuar për largimin e qeverisë aktuale.
Ndërkohë, autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me zhvillimet e protestës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






