Transmetuar më 10-06-2026, 09:59

Johanesburg – Një sulm i armatosur në zonën Cleveland të Johanesburgut, Afrikë e Jugut, ka lënë të paktën 12 persona të vdekur dhe 9 të tjerë të plagosur, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Sipas policisë vendase, ngjarja ka ndodhur kur një grup prej më shumë se dhjetë personash të armatosur ka mbërritur me një automjet tip “Toyota Quantum” ngjyrë e bardhë pranë një stacioni karburanti në zonë. Më pas, ata janë ndarë në grupe dhe kanë hyrë në një vendbanim informal nga dy hyrje të ndryshme, duke hapur zjarr ndaj banorëve në disa pika të kampit.

Autoritetet bëjnë me dije se sulmuesit kanë qëlluar në mënyrë të vazhdueshme ndaj banorëve dhe pjesëtarëve të komunitetit përpara se të largoheshin me të njëjtin automjet.

Nga të dhënat zyrtare, tetë burra dhe tre gra kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër viktimë ka ndërruar jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. Po ashtu, të paktën nëntë persona janë dërguar në spitalet e zonës për trajtim mjekësor.

Policia e Afrikës së Jugut ka konfirmuar se motivi i sulmit mbetet ende i panjohur, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit