Transmetuar më 10-06-2026, 09:52

Tiranë – Një operacion policor i koduar “Rrjeti” ka çuar në goditjen e një grupi kriminal të dyshuar për sigurimin dhe shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municioneve në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në kuadër të operacionit, të finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, janë arrestuar Marsel Varka, 35 vjeç, Elsaed Maqinaj, 25 vjeç, Fabian Zako, 29 vjeç dhe Kristaq Biba, 32 vjeç. Ndërkohë, janë shpallur në kërkim Kevin Vila, 21 vjeç dhe Bledar Avdillari, 28 vjeç.

Sipas Policisë, gjatë kontrolleve janë sekuestruar shtatë armë zjarri, konkretisht katër pistoleta dhe tre armë automatike, si dhe municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Autoritetet bëjnë me dije se ky operacion është vazhdim i një hetimi të nisur prej kohësh me metoda proaktive. Më herët, në kuadër të të njëjtit procedim penal, ishin arrestuar edhe pesë persona të tjerë: Donati Jaku, Florian Gjeta, Urim Meta, Ligor Mehmeti dhe Klodian Mustafa.

Nga hetimet rezulton se anëtarët e grupit, të organizuar në mënyrë të strukturuar, dyshohet se siguronin dhe shisnin armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion në zona të ndryshme të Tiranës.

Bilanci i përgjithshëm i operacionit dhe i veprimeve hetimore të zhvilluara deri më tani përfshin arrestimin e nëntë personave, si dhe sekuestrimin e 17 armëve të zjarrit, katër kallëpeve me lëndë plasëse, një sasie të konsiderueshme municioni, katër automjeteve dhe 13 telefonave celularë.

Policia njofton se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, si dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së grupit. Ndërkohë, po punohet edhe për lokalizimin dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë.

Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.

Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.

Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.

Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.

6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.

Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit