Transmetuar më 10-06-2026, 08:04

TEHERAN – Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka reaguar ashpër pas sulmeve ajrore amerikane ndaj objektivave iraniane, duke paralajmëruar se Teherani do t’i përgjigjet çdo veprimi ushtarak kundër vendit.

Në një mesazh të publikuar në platformën X, kreu i diplomacisë iraniane akuzoi Shtetet e Bashkuara se kanë zgjedhur të përshkallëzojnë situatën, pavarësisht, sipas tij, pengesave dhe humbjeve të pësuara në terren.

“Asnjë sulm nuk do të mbetet pa përgjigje”, deklaroi Araghchi, duke theksuar se forcat e armatosura iraniane janë të gatshme të reagojnë ndaj çdo kërcënimi apo akti agresioni.

Sipas ministrit iranian, kapacitetet ushtarake të vendit do të përdoren për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për t’iu kundërvënë çdo ndërhyrjeje të jashtme.

“Forcat tona të fuqishme të armatosura nuk do të lënë pa përgjigje asnjë sulm apo kërcënim”, shkroi ai.

Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në rajonin e Gjirit Persik, pas përplasjes së fundit mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, e cila u pasua nga sulme ajrore amerikane ndaj objektivave ushtarake iraniane.

Araghchi u drejtua gjithashtu me një mesazh forcave të huaja ushtarake të pranishme në rajon, duke paralajmëruar për pasojat e mundshme të përfshirjes në konflikt.

“Largohuni nga rajoni ynë nëse dëshironi të jeni të sigurt”, u shpreh ai.

Në përfundim të reagimit të tij, ministri iranian iu referua historisë së Gjirit Persik, duke argumentuar se ndërhyrjet e huaja në rajon kanë pasur pasoja të rënda për forcat e përfshira.

Zhvillimet e fundit kanë shtuar shqetësimet ndërkombëtare për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe rrezikun e destabilizimit të rajonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit