Transmetuar më 09-06-2026, 23:10

SHKUP – Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, u ka bërë thirrje studentëve të sapodiplomuar të besojnë te potenciali i tyre dhe të mos dorëzohen përballë sfidave.

Gjatë ceremonisë së Absolventiadës, Meidani solli në vëmendje shembullin e Nënë Tereza, duke kujtuar se askush nuk mund ta parashikonte se vajza e re nga Shkupi do të bëhej një figurë me ndikim botëror.

“Mos lejoni që realiteti i sotëm të vendosë kufijtë e së ardhmes suaj. Askush nuk e dinte se vajza e vogël nga Shkupi do të prekte zemrat e miliona njerëzve. As ju nuk e dini ende plotësisht se çfarë mund të bëheni”, u shpreh ai.

Në fjalën e tij, ambasadori theksoi se historia është shkruar nga ata që kanë vazhduar përpara edhe kur nuk kanë pasur siguri apo mbështetje, duke i nxitur të rinjtë të mos heqin dorë nga ëndrrat dhe synimet e tyre.

Ai vuri theksin edhe te rëndësia e bashkëpunimit, duke deklaruar se suksesi nuk matet vetëm me arritjet personale, por edhe me ndikimin pozitiv që lëmë te të tjerët.

“Ju jeni brezi i zhvillimit. Ju jeni brezi i ndryshimit. Ju jeni brezi që do të vendosë nëse rajoni ynë do të ecë përpara me më shumë bashkëpunim, më shumë mundësi dhe më shumë besim”, deklaroi Meidani.

Në fund të fjalimit, ai u bëri thirrje të diplomuarve të ecin përpara me guxim, dinjitet dhe besim, duke kontribuar për një shoqëri më të mirë dhe më të zhvilluar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit