

Protesta e zhvilluar kundër qeverisë ka vijuar me pjesëmarrje të lartë protestuesish, ndërsa organizatorët dhe pjesëmarrësit kanë bërë thirrje për bashkimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.
Gjatë tubimit, një prej aktivistëve deklaroi se në protestë po marrin pjesë edhe qytetarë të ardhur nga diaspora, duke pretenduar se një pjesë e tyre kanë mbërritur me fluturime charter nga vende të ndryshme të Europës.
“Vetëm dje dhe sot kam takuar rreth 150 mërgimtarë dhe shumë të tjerë që pritet të vijnë. Ka edhe avionë charter nga Anglia me rreth 450 shqiptarë, si dhe pjesëmarrës nga Gjermania dhe Italia”, u shpreh ai.
Protestuesit vijuan me thirrje kundër qeverisë dhe figurave politike, duke kërkuar dorëheqje, reformim të sistemit dhe krijimin e një qeverie teknike. Gjatë protestës u dëgjuan thirrje si “Rama në burg”, “Berisha në burg” dhe “Edi Rama jep dorëheqjen”.
Sipas protestuesve, ndryshimi politik duhet të shoqërohet me një riformatim të plotë të sistemit dhe të partive politike ekzistuese.
“Rrëzimi i sistemit do t’u shërbejë partive që të reformohen me njerëz me integritet. Opozita ka humbur shansin për t’u vetëpastruar nga pengmarrja”, u shpreh një tjetër pjesëmarrës në protestë.
Protesta është një nga disa tubimet e zhvilluara së fundmi para Kryeministrisë, në kuadër të pakënaqësive të shprehura nga grupe të ndryshme qytetarësh dhe organizatorësh politikë e civilë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






