

Ligji për investimet strategjike nuk do të jetë më pjesë e legjislacionit shqiptar. Deklarata u bë nga Kryeministri Edi Rama gjatë një konference me gazetarë nga vendet e Bashkimit Europian, ku u pyet mbi përmbushjen e kushteve të raportit IBAR në këtë fushë.
Rama bëri të ditur se qeveria shqiptare po punon në bashkëpunim me Bashkimin Europian për hartimin e një kuadri të ri ligjor për investimet.
Sipas tij, ligji aktual për investimet strategjike ka përmbushur qëllimin për të cilin ishte krijuar dhe tashmë nuk është më i nevojshëm.
“Ligji për investimet strategjike nuk ka qenë kurrë i padrejtë. Shumë njerëz që flasin për të nuk e dinë për çfarë bëhet fjalë. Ai ka përmbushur misionin e vet dhe nuk ka më rëndësi të vazhdojë. Nuk është se po luftojmë për ta mbajtur; thjesht do ta lëmë jashtë”, u shpreh Kryeministri.
Ai shtoi se ky ligj ka ndihmuar në tërheqjen e investimeve të rëndësishme në vend, të cilat sipas tij nuk do të ishin realizuar ndryshe.
“Ka sjellë në Shqipëri investime që përndryshe nuk do të kishin ndodhur. Sot nuk na duhet më një ligj i tillë, pasi kapitali po hyn dhe investitorët e mëdhenj po vijnë. Ata nuk kërkojnë lehtësira të veçanta, por një kuadër të qartë dhe të mbrojtur”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se çdo ndryshim ligjor po bëhet në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe në kuadër të procesit të integrimit.
Duke iu referuar debatit për projektin në Zvërnec, Rama u shpreh se reagimet publike janë ndikuar nga vëmendja ndërkombëtare dhe nga emra të njohur të përfshirë në investim.
Ai komentoi gjithashtu edhe diskutimet për ishullin e Sazanit, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për shitje të territorit, por për negociata me investitorë të huaj.
Rama nënvizoi se qeveria do të vijojë të mbështesë thithjen e kapitalit të huaj dhe zhvillimin e projekteve të mëdha, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të konkurrojë në tregun e investimeve duke shpërfillur standardet mjedisore dhe rregullat e zhvillimit të qëndrueshëm.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






