

Ish-ministri dhe avokati Ylli Manjani ka reaguar lidhur me protestat e fundit të zhvilluara para Kryeministrisë kundër qeverisë, si dhe ndaj komenteve dhe sulmeve që, sipas tij, ka marrë në rrjetet sociale pas deklaratave publike mbi karakterin politik të këtyre tubimeve.
Manjani theksoi se reagimet e ashpra nuk kanë qenë ndaj protestuesve, por ndaj individëve që, sipas tij, përdorin fyerjet si formë komunikimi ndaj mendimeve ndryshe.
“Për shkak të këtij konstatimi që bëra në rrjetet sociale mora personalisht një lumë sharjesh. Vetëm sepse thashë se protesta është politike. Nuk është turp të jetë politike. Unë nuk kam fyer protestuesit, por u jam përgjigjur atyre që më kanë sharë mua dhe familjen time”, u shpreh ai.
Në vijim të deklaratës së tij, Manjani komentoi edhe organizimin e protestave, duke pretenduar se pas tyre qëndrojnë struktura të caktuara politike në Tiranë.
“Pas këtij reagimi, organizatorët e njohur në Tiranë, një strukturë e lidhur me Erion Veliajn, kanë shkëputur thënie të miat nga konteksti për të nxitur urrejtje te turma. Nuk kam prova për ta pohuar drejtpërdrejt, por kjo strukturë ekziston”, deklaroi Manjani.
Ai shtoi se nuk ka lidhje me organizimin e protestave dhe se nuk mban përgjegjësi për mënyrën se si interpretohen deklaratat e tij në rrjetet sociale.
“Protestuesit nëse kanë ndonjë problem me familjen time, le të vazhdojnë me Edi Ramën. Unë nuk jam në politikë dhe nuk kam asnjë detyrim ndaj tyre”, tha ai.
Deklaratat e Manjanit vijnë në një klimë tensionesh politike dhe protestash të vazhdueshme para godinës së Kryeministrisë, të cilat kanë ngjallur debat në opinionin publik.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






