

Të enjten e kaluar 4 qershor, pak para mesditës aty nga ora 11.20, Eglant Koçi ishte duke përshkuar zonën e sheshit Wilson në Tiranë, pak metra larg ish Bllokut.
Ai po bënte punën e tij tashmë të përditshme të korrierit në pikat e këmbimit valutor, kryesisht për kriptomonedha.
Pamje nga një kamera sigurie kanë fiksuar momentet kur Eglanti ndodhet në motorin e tij dhe pranë gjendet një makinë siç shihni foton.

Në një moment teksa lëvizte me motorin e tij me targa “CT969”, ai ndërpreu çdo kontakt. Familjarët u alarmuar dhe njoftuan policinë.
Denoncimi u bë në Komisariatin nr 2 të Tiranës. Familjarët kanë deklaruar se ai nuk ka pasur konflikte apo probleme të njohura me persona të tjerë.
Policia nisi kërkimet dhe gjeti motorin e braktisur të të riut, por asnjë gjurmë të Colit, siç e njohin Eglantin.
Dinamika e zhdukjes që zbardhi noa.al është e tillë: Eglanti kishte miqësi me Armand Shakaj dhe shkoi te një lokal bashkë me të, pa e ditur se çfarë e priste.
Sot, policia e Tiranës konfirmoi se ka identifikuar 41-vjeçarin Armand Shakaj. Ai dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin Eglant Koçi.
Dyshimet e deritanishme të hetuesve të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës lidhen me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari posedonte në aparatin e tij celular. Kjo pistë po konsiderohet si një nga motivet kryesore që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.
Pasi u gjet motori i të riut të zhdukur, u bë i mundur identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari Eglant Koçi, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Eglant Koçi
Policia tha zyrtarisht sot se është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e Eglantit.
Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.
Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglanti, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Enea dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin Armand Shakaj në këtë rast rrëmbimi të veshur me shumë mister.
Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit.
Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.
Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.
Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






