Transmetuar më 09-06-2026, 13:46

Zbardhen emrat në rastin e 34-vjeçarit të zhdukur në Tiranë, kush është personi që po kërkohet nga Policia

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me hetimet për zhdukjen e 34-vjeçarit në Tiranë, ngjarje për të cilën Policia po vijon kërkimet intensive prej disa ditësh.

Burime bëjnë me dije se personi për të cilin familjarët kallëzuan humbjen e kontakteve është Eglant Koçi, 34 vjeç. Sipas hetimeve të deritanishme, autoritetet dyshojnë se ai mund të jetë mbajtur peng, ndërsa ende nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Në kuadër të këtij hetimi është arrestuar Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Sipas Policisë, ai dyshohet se ka ndihmuar personin e identifikuar si autor i dyshuar në këtë rast.

Ndërkohë, në kërkim policor është shpallur Armand Shakaj, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin. Policia ka ngritur dyshimet ndaj tij pas një sërë veprimesh hetimore dhe operative të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë.

Gjatë hetimeve është bërë e mundur gjetja e motomjetit të Eglant Koçit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas hetuesve, nga ky ambient ka dalë Armand Shakaj, i cili dyshohet se më pas mund ta ketë larguar 34-vjeçarin me automjet.

Autoritetet kanë ushtruar kontrolle të shumta në ambientin ku dyshohet se është mbajtur Eglant Koçi, si dhe në zona të tjera, por deri tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.

Po ashtu, është gjetur dhe sekuestruar automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, ndërsa hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia e Shtetit vijon kërkimet për gjetjen e Eglant Koçit dhe njëkohësisht po punon për lokalizimin dhe arrestimin e Armand Shakajt, i cili mbetet në kërkim.

Çfarë thotë Policia e Tiranës

Tiranë/Vijojnë hetimet intensive për gjetjen e shtetasit E. K., 34 vjeç, i denoncuar nga familjarët si i humbur.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim policor 41-vjeçari që dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Arrestohet një 25-vjeçar, pasi dyshohet se ka përkrahur autorin e dyshuar.

Si rezultat i veprimeve intensive hetimore dhe operacionale të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë më datë 05.06.2026 nga familjarët e shtetasit E. K., 34 vjeç, për humbjen e kontakteve me të, është bërë i mundur identifikimi i shtetasit A. Sh., 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng 34-vjeçarin.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, identifikimi dhe kontrolli i ambientit ku është futur 34-vjeçari, ambient nga i cili më pas ka dalë autori i dyshuar dhe mund të ketë marrë me vete, me automjet, 34-vjeçarin.

Është ushtruar kontroll i imtësishëm në ambientin e dyshuar, ku dyshohet se mbahej peng 34-vjeçari, si dhe në shumë ambiente të tjera dhe në terren, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e 34-vjeçarit.

Po nga veprimet hetimore ka rezultuar gjithashtu se autori i dyshuar ka larguar motomjetin e 34-vjeçarit nga vendi ku ishte parkuar fillimisht.

Automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar 34-vjeçari, është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi E. Z., 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar 41-vjeçarin në këtë rast.

Shërbimet e Policisë po vijojnë intensivisht kërkimet për gjetjen e shtetasit E. K.

Ndërkohë, po punohet për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Duke qenë se hetimet janë në vijim, për të mos cenuar ecurinë e tyre, bëjmë me dije se në këtë fazë nuk mund të bëhen publike të gjitha rezultatet e hetimit.

Në vijim, do të jepet informacion më i plotë sipas ecurisë së hetimeve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit