Transmetuar më 08-06-2026, 22:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka bërë të ditur se rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit pritet të shpallen më 26 qershor, ndërsa certifikimi i tyre planifikohet të përfundojë më 6 korrik. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se këto data janë të planifikuara, por mund të ndryshojnë nëse palët ushtronin ankesa në procesin zgjedhor.

Numërimi i votave të kandidatëve ka nisur në disa komuna, ndërsa aktivitetet në pjesën tjetër të vendit pritet të fillojnë gjatë ditës së sotme. KQZ po vazhdon edhe verifikimin e votave të diasporës dhe atyre me postë, për të siguruar saktësinë e rezultateve dhe për të parandaluar votimin e dyfishtë.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka marrë 42.91% të votave, ndërsa pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Këto ishin zgjedhjet e treta në më pak se një vit e gjysmë, të mbajtura pasi legjislatura e kaluar nuk arriti të zgjidhte presidentin brenda afateve kushtetuese. Pas përfundimit të procesit të certifikimit, KQZ do të shpallë zyrtarisht fituesit dhe rezultatin final të votimeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit