

Bizneset e familjes Trump në Shqipëri janë kthyer në një çështje që ka sjellë përplasje të tërthortë mes administratës amerikane dhe Komisionit Europian. Në qendër të debatit është ishulli i Sazanit, përballë brigjeve të Vlorës, ku dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, synon të ndërtojë një resort gjigant turistik.
Ndërkohë që prej ditësh qytetarë dhe aktivistë po protestojnë në Tiranë kundër projektit, duke i kërkuar qeverisë shqiptare ta ndalojë atë, shqetësim ka shprehur edhe Bashkimi Europian, raporton gazeta italiane Il Fatto Quitidiano që citon noa.al.
Nga Brukseli është dërguar një paralajmërim i qartë për qeverinë shqiptare, duke i kërkuar të “përmbahet nga veprime” që mund të ndikojnë negativisht në procesin e anëtarësimit të vendit në BE.
Kjo është një çështje shumë e ndjeshme për Tiranën, pasi Shqipëria, së bashku me Malin e Zi dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, po përpiqet të përmbyllë fazat e fundit të integrimit europian, me synimin për t’u bërë shtet anëtar deri në vitin 2028, sipas planeve të Brukselit.
Një zëdhënës i Komisionit Europian deklaroi se institucionet europiane i kanë shprehur tashmë ministrit shqiptar të Mjedisit shqetësimet e tyre lidhur me mangësitë e mundshme të projektit.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona për mangësitë e mundshme të këtij projekti”, tha zëdhënësi, duke nënvizuar se Shqipëria është angazhuar të pezullojë punimet dhe të zhvillojë një vlerësim të plotë të ndikimit në mjedis, në konsultim me shoqërinë civile.
Komisioni Europian kujtoi gjithashtu se projekti është objekt hetimi nga SPAK-u, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Sipas Brukselit, hetimet nuk lidhen vetëm me çështjet mjedisore, por shkojnë përtej tyre.
“Shqetësimet tona nuk janë të reja. Siç kemi theksuar edhe në raportin e fundit për zgjerimin, zgjatja e vazhdueshme e ligjit për investimet strategjike vazhdon të ngrejë shqetësime për ndikimet e mundshme mjedisore, veçanërisht në zonat e mbrojtura”, thuhet në reagimin e Komisionit.
Kështu, qeveria e kryeministrit Edi Rama ndodhet përballë një dileme të rëndësishme: të mbështesë investimin prej rreth 4 miliardë dollarësh të familjes Trump në Shqipëri, apo të respektojë kërkesat dhe standardet e Bashkimit Europian.
Komisioni Europian theksoi se Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj mjedisor me atë të BE-së, të shfuqizojë dispozitat që bien ndesh me rregullat europiane, të ndërpresë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike dhe të dëshmojë aftësinë për menaxhimin e zonave të ardhshme Natura 2000.
Brukseli kërkon gjithashtu që autoritetet shqiptare të sigurojnë masa mbrojtëse që parandalojnë dëmtimin e habitateve natyrore dhe specieve të mbrojtura.
“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të cenojnë përmbushjen e kritereve për mbylljen e kapitujve të negociatave dhe autoritetet shqiptare pritet të veprojnë pa vonesa”, përfundon deklarata e Komisionit Europian.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






