

SHKODËR – Kryeministri Edi Rama u ndal sërish te roli i influencerëve dhe blogerëve në protestat për projektin e Zvërnecit, duke deklaruar se disa prej tyre janë më shumë të interesuar për numrin e ndjekësve në rrjetet sociale sesa për çështjet mjedisore.
Gjatë fjalës së mbajtur në Shkodër, në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të degës së Partisë Socialiste, Rama theksoi se ata që kanë shqetësime reale për mjedisin në Zvërnec duhet të bazohen në fakte dhe argumente.
“Kush e ka seriozisht shqetësimin për Zvërnecin, bujrum, dëgjoni argumentet dhe faktet. Nuk mund të thoni anuloni projektin kur projekti po realizohet. Projektin s’e bëjnë influencerat, po e punon një grup i madh njerëzish, që nuk vijnë në Shqipëri për ta shkatërruar”, u shpreh Rama.
Lideri i qeverisë theksoi gjithashtu se qeveria nuk pretendon të bëjë gjithçka perfekt, por se nuk janë tradhtarë. Ai kujtoi ndërhyrjet e qeverisë pas tërmetit të 2019-s dhe ndihmën ndaj mijëra shqiptarëve që humbën shtëpitë.
“Ka pasur raste kur qytetarë dolën në protesta thjesht për të marrë likes e folloë në Instagram. Nuk dua të them që nuk ka arsye për të protestuar, ka. Por ka edhe arsye për të ndërtuar”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se dera e hapur për të përfituar nga zhvillimet e ligjshme dhe për të mbrojtur të drejtën qytetare nuk duhet të mbyllet nga persona që nuk kanë interes për të ndërtuar, por për të përfituar nga imazhi publik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






