

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 27-vjeçarit Ardian Baloshi, ngjarje e ndodhur paraditen e së hënës në zonën e Paskuqanit.
Sipas dëshmive të miqve të viktimës, i riu ishte duke ecur në një rrugicë së bashku me shokët e tij, kur u qëllua me armë zjarri nga një 39-vjeçar, i cili dyshohet se hapi zjarr nga një automjet në lëvizje.
Baloshi mori disa plagë nga të shtënat me armë automatike dhe u transportua menjëherë drejt spitalit nga miqtë e tij, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Një prej shokëve të viktimës, në një prononcim për mediat, e përshkroi 27-vjeçarin si një djalë që jetonte vetëm me nënën e tij dhe nuk kishte familjarë të tjerë të afërt.
“Jetonte vetëm me nënën. Nuk kishte as motër, as vëlla dhe as baba. U qëllua në kokë dhe gjendja e tij ishte tepër e rëndë”, tha ai.
Pas ngjarjes, autori i dyshuar, Sadik Llanaj, është larguar nga vendi i krimit me automjet, ndërsa forcat e Policisë së Shtetit dhe njësitë speciale RENEA janë angazhuar në kërkimin dhe kapjen e tij, pasi dyshohet se mund të jetë ende i armatosur.
Burime nga zona bëjnë me dije se autori dhe viktima banonin në të njëjtën lagje dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Sipas miqve të përbashkët, nuk kishte pasur sinjale të mëparshme për ndonjë konflikt mes tyre, çka e bën ngjarjen edhe më të paqartë.
Dëshmitarët tregojnë se autori ka qëlluar disa herë në drejtim të 27-vjeçarit, ndërsa personat që ndodheshin pranë kanë shpëtuar pa u lënduar.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






