Transmetuar më 08-06-2026, 18:06

Historia e dhimbshme e Erjonës: 54-vjeçarja që jetoi për vite me radhë në rrugët e Vlorës dhe humbi jetën në një aksident tragjik

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin tragjik të ndodhur dy ditë më parë në aksin rrugor Fier–Vlorë, pranë zonës së Novoselës, ku humbi jetën 54-vjeçarja Erjona Mato.

Erjona ishte një figurë e njohur për shumë banorë të qytetit të Vlorës. Prej vitesh ajo jetonte në kushte të vështira, pa një strehë të qëndrueshme dhe larg familjes së saj.

Sipas informacioneve të bëra publike, ajo kishte kaluar një periudhë të gjatë të jetës duke qëndruar në godina të braktisura, ndërsa vitet e fundit ishte vendosur në zonën e lulishtes pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë.

Në momentin e aksidentit fatal, 54-vjeçarja po kalonte autostradën kur u përplas nga një automjet, duke humbur jetën në vend. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në qytet, ku shumë banorë e kujtojnë Erjonën si një person të qetë, të sjellshëm dhe të respektueshëm.

Sipas burimeve lokale, pavarësisht vështirësive të mëdha ekonomike dhe sociale me të cilat përballej, Erjona kishte kërkuar në disa raste ndihmë nga institucionet përkatëse, por situata e saj nuk mori një zgjidhje afatgjatë.

Mediat lokale raportojnë gjithashtu se disa vite më parë ajo kishte apeluar publikisht për ndihmë në gjetjen e vajzës së saj. Vajza ishte larguar nga kujdestaria e saj nga institucionet përgjegjëse, për shkak të pamundësisë së Erjonës për të siguruar kushtet e nevojshme për rritjen dhe kujdesin e fëmijës.

Pavarësisht sfidave të shumta me të cilat u përball gjatë jetës, banorët e zonës tregojnë se Erjona shpesh kontribuonte në pastrimin e lagjes dhe përpiqej të ndihmonte komunitetin sipas mundësive që kishte.

Humbja e saj ka prekur thellë shumë qytetarë të Vlorës, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për mënyrën se si përfundoi jeta e saj. Në reagimet e tyre, shumë prej tyre kanë kërkuar më shumë vëmendje dhe mbështetje për personat në nevojë, duke ngritur pyetje mbi mekanizmat e ndihmës sociale dhe mbështetjen që duhet t’u ofrohet qytetarëve që përballen me situata të tilla të vështira.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit