

TIRANË – Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Oliger Torba, ka dalë në një deklaratë për mediat duke sqaruar rrethanat dhe dinamikën paraprake të vrasjes së ndodhur mesditën e sotme. Kreu i Policisë së Kryeqytetit saktësoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugë, pranë një fushe kalçetoje, por vendndodhja ekzakte është në zonën e Paskuqanit dhe jo brenda Kamzës siç u raportua fillimisht.
Sipas drejtorit Torba, i riu Ardian Baloshi, 27 vjeç, ka ndërruar jetë rrugës për në Spitalin e Traumës. Kanë qenë kalimtarët e rastit ata që kanë parë të riun e shtrirë në tokë dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt bluzave të bardha, por plagët e marra kanë qenë vdekjeprurëse.
Autori i armatosur u largua me mjet: Policia konfirmon se autori i dyshuar, Sadik Llanaj, pasi ka qëlluar me armë zjarri drejt 27-vjeçarit pas një konflikti për lojën e kalçetos, është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes duke përdorur një automjet. Ai dyshohet se është ende i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.
Aktualisht, reparti elitë RENEA dhe forca të shumta të policisë kanë blinduar hyrje-daljet e Paskuqanit dhe zonave përreth, duke vijuar kontrollet e rrepta për lokalizimin e automjetit dhe arrestimin e autorit të krimit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






