Transmetuar më 08-06-2026, 12:06

TIRANË – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka prezantuar këtë të hënë përpara Komisionit të Ligjeve projektligjin e ri për Amnistinë Penale, i cili pritet të kalojë për votim në seancën plenare të datës 18 qershor. Mbledhja e komisionit u karakterizua nga mungesa thuajse totale e opozitës, ku i pranishëm ishte vetëm deputeti Arjan Ndoja.

Gjatë fjalës së tij, ministri Gogu bëri me dije se nga ky draft pritet të përfitojnë në total rreth 1,280 persona të dënuar, ku 380 prej tyre do të lirohen menjëherë, ndërsa rreth 900 të tjerë do të kenë një reduktim të kohës së qëndrimit në qeli. Kreu i Drejtësisë preku gjithashtu vijën e kuqe të projektligjit, duke saktësuar se asnjë person i dënuar për korrupsion, krim të organizuar apo nga struktura antikorrupsion (SPAK/GJKKO) nuk do të përfitojë.

Projektligji parashikon kritere specifike lehtësuese të bazuara në masën e dënimit dhe moshën e të dënuarve. Për burrat, lirohen menjëherë të gjithë ata që janë dënuar deri në 3 vjet burgim, ose u ka mbetur më pak se 3 vjet nga vuajtja e dënimit. Për gratë, përfiton lirim të menjëhershëm kategoria që është dënuar deri në 4 vjet burgim, ose u ka mbetur më pak se 4 vjet nga dënimi. Sa i përket kriterit të moshës, lirohen automatikisht të gjithë burrat e moshës 60 vjeç e sipër dhe të gjitha gratë e moshës 50 vjeç e sipër.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, ky hap do të ndihmojë ndjeshëm në rënien e mbipopullimit në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, duke u përafruar me standardet evropiane. Aktualisht, në sistemin e burgjeve janë të akomoduar gjithsej 4,982 persona, nga të cilët 1,827 janë të dënuar dhe 2,629 janë të paraburgosur. Ministri Gogu nënvizoi se ulja e numrit të personave të burgosur përmirëson ndjeshëm kushtet në këto institucione, duke garantuar trajtimin e tyre në përputhje me rregullat evropiane të burgjeve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit