

TIRANË – Në ditën e nëntë të protestave masive qytetare kundër projektit të ndërtimit në Zvërnec, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dalë me një reagim zyrtar dhe mjaft të ndjeshëm, duke bërë thirrje direkte për mbrojtjen e habitateve natyrore dhe ekosistemeve në vend.
Ky reagim vjen në një moment kulmi për atë që po etiketohet si "Revolucioni i Flamingove", teksa ndjeshmëria ndërkombëtare ndaj impaktit mjedisor të projektit po rritet me shpejtësi.
Apeli i BE-së: "Mbro habitatet përpara se qielli të mbetet pa këngë"
Përmes një mesazhi me tone të forta ndërgjegjësuese, zyra e BE-së në Tiranë ka vënë theksin te rreziku global dhe lokal që po kanoset nga humbja e zonave të mbrojtura:
“Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë. Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë… Humbja e habitateve dhe ndotja po i shtyjnë shumë specie drejt zhdukjes, duke e bërë natyrën më të heshtur çdo ditë. Mbro habitatet natyrore, përpara se qielli të mbetet pa këngë shpendësh. Mbro natyrën, sa je në kohë”, thekson delegacioni i BE-së.
Politico: Projekti në Zvërnec rrezikon bisedimet e anëtarësimit në BE
Paralelisht me mesazhin e delegacionit, media prestigjioze evropiane Politico ka raportuar një qëndrim akoma më specifik të Komisionit Evropian, duke paralajmëruar zyrtarisht Tiranën se ky projekt mund të kthehet në një pengesë serioze për integrimin.
Sipas Politico, Brukseli ka bërë të qartë se shkelja e rregullave mjedisore në bregdetin jugor e vendos Shqipërinë në kurs përplasjeje me direktivat evropiane, duke rrezikuar drejtpërdrejt aftësinë e vendit për të mbyllur Kapitullin 27 (Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike) në bisedimet e anëtarësimit.
Pezullohen punimet në terren:
Përballë këtij presioni në rritje, një zëdhënës i BE-së konfirmoi për POLITICO se Ministri shqiptar i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka informuar zyrtarisht Komisionin në Bruksel se ndërtimi i projektit në Zvërnec është pezulluar. Autoritetet shqiptare janë angazhuar se do të kryejnë një Vlerësim të ri të Ndikimit në Mjedis (VNM) në bashkëpunim të ngushtë me organizatat e shoqërisë civile.
Një këngë shpendi është më shumë se tingull, është shenjë e një natyre që jeton dhe merr frymë. Mbi 49% e specieve të shpendëve në botë janë në pakësim, një sinjal i qartë se ekuilibri i ekosistemeve po vihet në provë. Shpendët janë thelbësorë për natyrën: shpërndajnë fara,… pic.twitter.com/3ATkvdydeN
— EU in Albania (@EUinAlbania) June 8, 2026
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






