

TIRANË – Detaje të reja dhe dyshuese kanë dalë në dritë nga hetimet për grabitjen e degës së “OTP Bank” të ndodhur pak ditë më parë, ku autori arriti të përvetësonte një shumë prej 60 mijë eurosh. Ndërsa Policia dhe Prokuroria e Tiranës janë vënë në ndjekje të autorit përmes kamerave të sigurisë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për punonjësin e sigurisë së bankës, shtetasin Fehmi Çullhaj, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Hetimet e deritanishme, që evidenton gazetari Elton Qyno, kanë ngritur pikëpyetje të mëdha mbi dy "koincidenca" flagrante, që po e çojnë grupin hetimor drejt bindjes se grabitësi mund të ketë pasur një bashkëpunëtor brenda personelit të bankës.
Dy "rastësitë" që ngrenë dyshime për bashkëpunim
Grupi hetimor ka fiksuar dy momente kyçe që lehtësuan depërtimin e autorit:
Largimi i rojes në tualet: Grabitësi është shfaqur rrufeshëm brenda ambienteve të bankës saktësisht në momentin kur roja i sigurisë, Fehmi Çullhaj, ka lënë postin për nevojat e tij personale. Në dëshminë e tij, Çullhaj ka deklaruar: “Isha në banjë, kur ndodhi grabitja e arkës së bankës. Derën e bankës nuk e mbylla nga brenda, pasi kam harruar instinktivisht…”.
Momenti i tërheqjes së valutës: Autori ka mbyllur aksionin pikërisht kur tre arkëtaret e bankës sapo kishin marrë valutën financiare. Megjithëse sipas rregullores shuma në arkë nuk duhet të kalonte 30 milionë lekë, ditën e ngjarjes arkëtaret i kanë dorëzuar autorit nën kërcënimin e armës plot 60 mijë euro.
Ecuria e hetimeve: Deri më tani, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje më shumë se 5 persona, të cilët më pas janë lënë të lirë. Megjithëse dyshimet për një bashkëpunëtor të brendshëm janë të forta, grupi hetimor ende nuk ka siguruar prova bindëse materiale, ndërsa vete "skifteri", i cili u largua lehtësisht nga vendngjarja me një skuter, mbetet i paidentifikuar.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






